
Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit mes Suharekës dhe Kurbinit për Planet Vendore të Eficencës së Energjisë
13 Dhjetor 2024
Konferenca përmbyllëse e projektit “Rruga drejt përdorimit efiçent vendor të burimeve natyrore”, u mbajt të premten, më 13 dhjetor në Suharekë me pjesëmarrjen e aktorëve vendorë në zonën kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës, përfituese të programeve ndërkufitare të ParaAderimit në Bashkimin Evropian. Gjatë konferencës, u prezantuan rezultatet e arritura gjatë dy viteve të implementimit të projektit, me fokus në përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe adresimin e sfidave klimatike.
Pjesëmarrësit kishin mundësinë të ndanin përvoja dhe ide me përfaqësues të Bashkisë së Kurbinit dhe Komunës së Suharekës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar. Po ashtu, u zhvilluan diskutime të thelluara mbi përfitimet që ka sjellë projekti për qytetarët e Suharekës dhe ndikimin e tij në sektorët publik dhe privat.
Gjatë ngjarjes, u nënshkrua një Marrëveshje Bashkëpunimi mes dy bashkive partnere, të firmosur nga kryetari i komunës së Suharekës z. Bali Muharremaj dhe zv.kryetari i bashkisë Kurbin, z.Eduart Kurti. Të dyja entitetet vendore u zotuan në këtë marrëveshje për të vijuar edhe pas përfundimit të projektit bashkëpunimin e nisur në zbatimin e Planeve Vendore të Eficencës së Energjisë si dhe shkëmbyer eksperiencat më të mira në përpjekjet e përbashkëta për të përmirësuar përdorimin e energjisë dhe burimeve natyrore të zonës ndërkufitare.
Pas takimit, pjesëmarrësit realizuan një vizitë në fshatin Gelancë, për të parë investimin në ndriçimin efiçient në këtë fshat të Komunës së Suharekës. Banorëve iu mundësua për herë të parë ndriçimi i rrugëve publike me nje shtrirje rreth 5 kilometra. Punimet për këtë projekt të efiçencës së energjisë realizuan instalimin e rreth 210 ndriçuesve inteligjentë, që mundësojnë 5 nivele të ndryshme ndriçimi, jo vetëm duke kursyer energjinë, por edhe përshtatur nivelin e dritës për të lehtësuar drejtimin e mjeteve dhe ecjen e këmbësorëve.