Nis zbatimin projekti i përbashkët Shqipëri-Kosovë për Energjinë dhe Klimën
22 Prill 2022
ASP nisi zbatimin e projektit “Rruga drejt përdorimit efikas vendor të burimeve natyrore” me fokus rritjen e njohurive dhe bashkëpunimit të aktorëve të ndryshëm në Shqipëri dhe Kosovë për zbatimin në nivel vendor të politikave kombëtare të efiçencës së energjisë dhe ndryshimeve klimatike. Ky projekt zbatohet në bashkëpunim me partneret e Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe bashkitë e Kurbinit dhe Suharekës, me financimin e programit Ndërkufitar Shqipëri – Kosovë të Instrumentit të Paraaderimit IPA II të Bashkimit Evropian. Projekti ka një kohëzgjatje prej 30 muajsh në periudhën prill 2022 – shtator 2024.
Autoritetet vendore në dy bashkitë e përfshira në këtë projekt do të përfitojnë rritjen e mëtejshme të njohurive të stafit të tyre si dhe shkëmbimin e ekspertizës për hartimin e Planeve Vendore të Veprimit për Energjinë dhe praktikave të tjera, në zbatim të detyrimeve që lindin për autoritetet vendore nga legjislacioni kombëtar për energjinë dhe mjedisin. Njëkohësisht, projekti do të mundësojë investime konkrete në termoizolimin dhe masa të tjera eficiente në një kopsht fëmijësh në Kurbin dhe ndricimin me energji diellore të tre ambjenteve publike në Suharekë. Këto investime pilote jo vetëm që do të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve vendore, por synohet që të ndërgjegjësojnë biznesin dhe komunitetin vendor për të orientuar investimet e tyre drejt zgjedhjeve të gjelbërta.
Krijimi i një mekanizmi të qëndrueshëm për dialog dhe konsultime ndërmjet të gjithë aktorëve vendorë për çështjet e efiçiencës së energjisë dhe ndryshimeve klimatike do të mundësohet falë eskperiencës së ASP dhe PIPS për të sjellë së bashku aktorë të rëndësishëm vendorë të biznesit, aktivistë civilë dhe përfaqësues të medias.
Të gjitha këto ndërhyrje pritet të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore në të dyja vendet, nëpërmjet një ndërhyrjeje zhvillimi ekonomik dhe social më efikas dhe miqësor me natyrën.